Telegrafi

Policia nis inspektimet në sheshet e Prishtinës, ndalon qytetarët që nuk kanë maska

Rritja e numrit të rasteve me COVID-19 gjatë javëve të fundit, ka bërë që Qeveria e Kosovës të vendos për ashpërsim të masave mbrojtëse.

Kryeministri Avdullah Hoti, të dielën bëri të ditur se do te fillojë një zbatim shumë rigoroz i masave ekzistuese kundër përhapjes së coronavirusit.

Në kuadër të këtyre paralajmërimeve, Policia e Kosovës sot ka nisur inspektimet në sheshet e kryeqytetit, duke ndaluar të gjithë ata qytetarë që po i hasin pa maska.

Sipas disa fotografive që ka siguruar Telegrafi, policia shihet tek sa ndalon qytetarët të cilët nuk i kanë të vendosura maskat mbrojtëse. Nuk dihet nëse policia po shqipton dënime për personat që nuk po bartin maska.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani ka thënë për Telegrafin se Policia e Kosovës të gjitha veprimet i ndërmerr konfrom autorizimeve ligjore që ka.

“Policia e Kosovës të gjitha veprimet policore i ndërmerr konfrom autorizimeve ligjore që ka, duke u bazuar në procedurat e parapara ligjore dhe referuar vendimeve të institucioneve të Kosovës. Po ashtu Policia e Kosovës vepron në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësore dhe institucioneve tjera relevante, konfrom angazhimeve dhe detyrave ndaj pandemisë”, ka thënë Kelani.

Deri më tani janë infektuar gjithsej 4 mijë e 931 persona, prej të cilëve edhe 2 mijë e 561 janë ende raste aktive. /Telegrafi/