Kanë nisur hetimet për rastin e deputetes Adelina Grainca, pasi në muret e oborrit të shtëpisë së saj persona të panjohur kanë shkruar grafite me mesazhe fyese për familjen e deputetes.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur të martën rreth orës 21:55, në Ferizaj.
“Ferizaj 20.04.2021-21:55. Është raportuar se person-a të panjohur në disa lokacione kanë shkruar disa grafitë. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raport.
Ndryshe, mbrëmë në muret e oborrit të shtëpisë së deputetes Adelina Grainca, persona të panjohur kanë shkruar grafite me mesazhe fyese për familjen e deputetes.
“BIJAT I SHESIM, VOTAT I QESIM” kjo është përmbajtja e disa grafiteve të shkruara në murin rrethues të oborrit të familjes së deputetes Grainca nga Ferizaj.
Adelina Grainca në zgjedhjet e 14 shkurtit ishte zgjedhur deputete në listën e Partisë Demokratike të Kosovës. Por, e njëjta ka marrë pjesë në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës më 4 prill ku ka votuar për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente dhe njëkohësisht kishte bërë të ditur se ka braktisur PDK-në dhe i është bashkuar Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Lulzim Grainca, biznesmen dhe xhaxhai i Adelinës, ka deklaruar sonte se sapo të nxjerr video-incizimet e kamerave të sigurisë do të tregojë kush është autori i grafiteve. /Telegrafi/