Site icon Telegrafi

Policia në Ferizaj për një javë shqiptoi 767 gjoba ndaj qytetarëve për mosrespektim të masave antiCOVID-19

Gjatë javës së  fundit bazuar në vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me respektimin e masave mbrojtëse për  COVID-19, njësitet policore të DRP Ferizaj në bashkëpunim me inspektorët komunal janë angazhuar maksimalisht  nëpër qendrat tregtare, kafiteritë dhe lokacionet tjera më të frekuentuara nga qytetarët.

Sipas një njoftimi për media, thuhet se këto masa po respektohen nga shumica e qytetarëve në Ferizaj.

“Këto masa po respektohen nga shumica e qytetarëve të cilët edhe i falënderojmë,  por janë hasur edhe persona të cilët nuk i kanë përfillur të njëjtat dhe nga ana e zyrtarëve policorë gjatë kësaj kohe  janë shqiptuar 767 tiketa  ndaj personave të cilët nuk i kanë respektuar këto masa të parapara me ligjin 07/L-006,  janë mbyllur 5 lokale, si dhe janë dhënë 212 vërejtje policore”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, siç thuhet në njoftim Policia rajonale në Ferizaj, apelon te qytetarët që t’i respektojnë masat e parapara ligjore me qëllim të ruajtjes së shëndetit të tyre dhe familjarëve të tyre.

“Policia e Kosovës do të vazhdoj me përmbushjen e detyrave të saj dhe në çdo kohë dhe çdo vend ku do të hasen personat të cilët nuk i respektojnë masat, ndaj tyre do të veprohet sipas ligjit në fuqi”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version