Telegrafi

Policia ndalon futjen në Kosovë të materialit për referendumin e Serbisë

Policia e Kosovës ka konfirmuar se të premten në orën 21:40, në pikën e kalimit kufitar Merdar që lidh Serbinë me Republikën e Kosovës (RKS), në hyrje për në vendin tonë, kanë ardhur tri automjete (një veturë dhe dy kamion) me targa të Serbisë, në të cilat kanë qenë gjashtë persona.

Njësitet policore gjatë realizimit të detyrave dhe procedurave-kontrolleve që zbatohen gjatë kalimeve kufitare, kanë vërejtur se në kamion kishte të ngarkuar material që dyshohej se përdoret për ‘referendumin’ që pritet të mbahet në Serbi.

“Bazuar në informacionet zyrtare, detyrat dhe autorizimet policore, është ndaluar hyrja në RKS, e këtij materiali i cili po transportohej pa leje përkatëse”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, dy mjetet transportuese (kamionët) janë dërguar tek autoritetet kompetente doganore, ndërsa pas intervistimit personat me automjetin e tyre janë kthyer mbrapa në Serbi.

Rasti do të vazhdojë të trajtohet në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe organet e drejtësisë. /Telegrafi/