Telegrafi

Policia ndaloi tre persona të mbajnë liturgji në objektin në Kampusin Universitar, nuk e kishin paralajmëruar

Foto: Arkiv

Tre persona, dy nga të cilët shtetas të huaj janë ndaluar sot rreth orës 04:30 nga një njësi patrulluese policore në qendër të Prishtinës, konkretisht në objektin në Kampusin e Universitetit të Prishtinës (UP).  

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci në një prononcim për Telegrafin, tha se sot rreth orës 04:30, njësia patrulluese policore përgjatë kryerjes së detyrave të zakonshme në zonën qendër, ka ndaluar një veturë me tre persona, dy nga të cilët shtetas të huaj.

Sipas tij, janë kryer veprimet e nevojshme verifikuese nga ana e policisë, të njëjtit janë lënë të lirë për të vazhduar më tej.

Borovci tutje tha se përveç liturgjisë së Kishës Ortodokse që po vazhdon të mbahet në fshatin Bardhosh të Komunës së Prishtinës nuk kanë ndonjë aktivitet tjetër të paralajmëruar.

“Ndërlidhur me pretendimet për ndonjë aktivitet fetar, përveç liturgjisë së Kishës Ortodokse që po vazhdon të mbahet në fshatin Bardhosh të Komunës së Prishtinës nuk kanë ndonjë aktivitet tjetër të paralajmëruar. Ky aktivitet ka qenë i paralajmëruar dhe për aq sa i takon policia po monitoron ngjarjen për të lehtësuar rrjedhën normale të tij”, ka thënë Borovci.​ /Telegrafi/