Telegrafi

Policia metropolitane filmohet duke rrahur brutalisht një boksier (Video, +18)

Një video amatore e cila po qarkullon në internet ka shokuar opinionin në Britani, për faktin se shfaqet një polic i cili në mënyrën më brutale të mundshme e godet plot 26 herë me grusht në kokë, një person i cili i reziston arrestimit dhe mundohej ta përpinte një qese të vogël me kokainë.

Në pamje shihen një police dhe kolegu i saj duke u munduar ta arrestojnë boksierin Adam Salman 27-vjeç, i cili qëndron i shtrirë në tokë në zonën Mordwen në pjesën jugore të Londrës, transmeton Telegrafi.

Videoja është filmuar në maj, kurse të martën mbrëma është postuar në YouTube me titull “kur policët humbin durimin”, dhe prej atëherë është shikuar nga mbi dy mijë persona.

Salman ishte kapur për posedim të kokainës dhe mundohej t’i rezistonte arrestimit, veprim ky që kishte nervozuar shumë policin metropolitan që nuk hezitoi ta grushtoj.

Zëdhënësi i policisë metropolitane ka deklaruar se deri më tani Salman nuk është ankuar për sjelljet e policit, por veprimi i zyrtarit policor është hetuar dhe në fund është konstatuar se është sjellë konform normave ligjore.

Gjykata e Londrës e ka dënuar boksierin Salman me gjashtë javë burgim. /Telegrafi/