Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore mbrëmë, më 11.11.2020, ka realizuar një plan operativ, me qëllim të hetimit, zbulimit dhe parandalimit të trafikimit me qenie njerëzore.
Ky plan është realizuar në kuadër të kampanjës vetëdijesuese me moton “Mos hesht, ndal trafikimin me njerëz”, me qëllim të marrjes së masave pro aktive në identifikimin e hershëm dhe mbrojtjen e viktimave të mundshme të trafikimit.
Në njoftim bëhet e ditur se zyrtarët policorë kanë kontrolluar 17 lokale në vende të ndryshme, ndërsa tri nga këto lokale janë mbyllur nga inspektorët komunalë si dhe janë shqiptuar gjoba dhe vërejtje për mungesë të dokumenteve të punës.
“Në këto lokale janë hasur duke punuar 133 punëtorë, prej tyre 86 femra dhe 47 meshkuj. Nënshtetësia e këtyre punëtorëve është: 70 kosovarë/e, 61 shtetas/e të Shqipërisë, 1 i Serbisë dhe 1 i Bullgarisë”, thuhet në njoftim.
Në lokalet e kontrolluara janë gjetur dhe janë sekuestruar disa gjëra të ndaluara (sprej, shufër metalike) të cilat janë sekuestruar nga Policia.
Të gjithë shtetasit e huaj, në mungesë të paraqitjes së lejes së punës dhe qëndrimit, janë referuar të trajtohen nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj e PK-së.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e çdo dukurie negative, përfshirë luftën e vazhdueshme kundër trafikimit me qenie njerëzore, me këtë rast falënderojmë qytetarët për bashkëpunim dhe i inkurajojmë që edhe në të ardhmen të vazhdojë bashkëpunimi i tillë. /Telegrafi/