Site icon Telegrafi

Policia konfirmon rastin e dhunës në Spitalin e Gjakovës, thotë se gruaja ka probleme mendore

Policia e Kosovës ka konfirmuar se një rast i dhunës ka ndodhur në Spitalin e Gjakovës, teksa bën të ditur se gruaja e cila ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortit të saj, ka probleme mendore.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Nysret Gjurkaj konfirmoi për Telegrafin se rasti ka ndodhur më 14 janar.

“Me datë 14.01. 2022 rreth orës 03:00 , e dyshuara kishte sulmuar fizikisht viktimën (burrin e saj), i cili është pjesërisht i pa lëvizshëm. Rasti ka ndodhur në repartin e neurologjisë në spitalin ‘Isa Grezda’ – Gjakovë. Viktima ka pësuar lëndime trupore. Viktimës i është ofruar ndihma mjekësore, si dhe mbrojtësi i viktimave është njoftuar për rastin e ndodhur, po ashtu prezent ka qenë dhe punëtori qendrës sociale”, tha ai.

Gjurkaj sqaroi se Policia ka ndaluar gruan e dyshuar dhe se e njëjta është hospitalizuar në repartin e psikiatrisë.

“E dyshuara ( bashkëshortja) është shoqëruar në Stacionin policor, është intervistuar dhe në konsultim me prokurorin kujdestar, e njëjta mbahet në ndalim policor, por për shkak te gjendjes se saj mendore, me udhëzim te mjekut psikiatër, e njëjta është hospitalizuar në repartin e psikiatrisë , nën shoqërimin e zyrtarëve policor”, shtoi ai.

Lexo po ashtu Në Spitalin e Gjakovës gruaja rrah burrin e sëmurë

Më tej, Gjurkaj bëri të ditur se Policia për rast është njoftuar përmes një video incizimi që është pranuar nga adresa elektronike në adresën policore. /Telegrafi/

 

Exit mobile version