Telegrafi

Policia kërkon ndihmë për lokalizimin e 13-vjeçares dhe të dyshuarit që janë zhdukur tash e një javë

Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për të lokalizuar dy persona që rezultojnë të zhdukur tash e një javë.

Rasti është raportuar fillimisht në Gjakovë, më 23 shtator, teksa sipas informacioneve të publikuara nga policia, fjala është për 13-vjeçaren Egzona Detaj nga fshati Janosh i Gjakovës, dhe një 31-vjeçari që dyshohet të jetë shoqëruesi i saj, Egzon Krasniqi nga fshati Treboviq i Pejës.

“Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë për publikimin e fotografive të personave të involvuar në rast, me qëllim lokalizimin e tyre, lëshon Kërkesë për bashkëpunim me qytetarët”, thuhet në komunikatë.

Tutje, Policia thekson se “Personi viktimë është Egzona (Halil) Fetaj 01.06.2008 nga Fshati Janosh Gjakovë, ndërkaq personi i dyshuar është Egzon Krasniqi i lindur me 29.11.1989 i identifikuar me numër personal 1175439044 me banim ne Fshatin Treboviq-Pejë”.

Sipas njoftimit, me datën 23.09.2021 në orën 21:00 në stacionin policor në Gjakovë viktima me të dhëna si më lart është raportuar nga familjarët se ishte larguar nga shtëpia.

“Policia në Gjakovë është duke zhvilluar hetime intezive për identifikimin e lokacionit dhe gjetjen e personave në fjalë, por në lidhje më këtë kërkon ndihmën e qytetareve për informata shtesë. Me datë 24.09.2021 për shkak të peshës së veprës dhe ndjeshmërisë së rastit ky rast është tranferuar për hetim në Sektorin Rajonal për Hetime. Gjithashtu edhe hetuesit nga ky sektor kanë ndërmarr shumë veprime operativo hetimore në koordinim me prokurorin e çështjes, janë intervistuar disa persona, janë kontrolluar disa lokacione të dyshuara por deri më tani edhe përkundër përpjekjeve maksimale nuk është gjetur viktima e as personi i dyshuar Egzon Krasniqi i cili dyshohet se është në shoqërimin e viktimës”, thuhet në komunikatë.

Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar dhe të viktimës të paraqitur në fotografitë e bashkangjitura, të lajmërojnë Policinë e Kosovës Gjakovë apo stacioni më i afërt policor. /Telegrafi/