Site icon Telegrafi

Policia kërkon ndihmë për gjetjen e 25-vjeçares nga Rahoveci, thotë se është zhdukur para dy jave

Policia e Kosovës të premten ka publikuar fotografinë e një vajze nga Rahoveci, për të cilën ka thënë se është e zhdukur tash e mbi dy javë.

Teksa ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për gjetjen e saj, Policia ka thënë se e njëjta është raportuar e zhdukur më 14 nëntor të këtij viti nga familjarët e saj.

“Personi i raportuar i zhdukur Dorentina (Vllaznim) Gashi –  Spahiu, dtl.08.04.1997, me datë 09.11.2022 02:00 është larguar pa asnjë paralajmërim nga shtëpia e saj e banimit në Lagjen Arbanë dhe deri në këto momente nuk ka asnjë informatë lidhur me fatin dhe vendndodhjen e saj”, thuhet në njoftimin për media.

Që nga momenti i raportimit të rastit, nga ana e policisë bëhet e ditur se janë ndërmarrë veprimet e duhura në funksion të gjetjes së saj.

“Me qëllimin që vendndodhja e viktimës së rastit të zbulohet sa më parë, nga ana e Prokurorit të Shtetit lëshohet autorizim për publikimin e fotografisë së viktimës së rastit Dorentina Gashi”.

“Andaj kërkojmë bashkëpunim nga të gjithë qytetarët, që nëse e shohin personin e njëjtë apo dinë diçka për vendndodhjen e saj të raportojnë Policinë Rajonale në Prizren, apo në cilindo stacion të policisë në Kosovë”. /Telegrafi/

Exit mobile version