Policia e Kosovës, përmes publikimit të fotografisë, ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin e Shqiprim Dedajt nga Gjakova, i dyshuar për vjedhje të rëndë.
Në njoftim thuhet se Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë për publikimin e fotografisë të personit të dyshuar në rast, me qëllim lokalizimin e tij, lëshon kërkesë për bashkëpunim me qytetarët.
“Personi i dyshuar është Shqiprim (Tomë) Dedaj i lindur me 28.11.1984 banues në rrugën ‘Pashko Vasa’ në Gjakovë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Më tej thuhet se lidhur me rastin “vjedhje e rëndë” pranë Sektorit Rajonal të Hetimeve në Drejtorinë Rajonale të Policisë-Gjakovë janë duke u zhvilluar hetime intensive ku gjatë veprimeve hetimore është identifikuar i dyshuari i lartcekur.
“Në lidhje me rastin nuk është arritur të sigurohet prezenca e personit në fjalë edhe përkundër angazhimeve të shumta hetimore dhe operative nga ana e Sektorit Rajonal për Hetime dhe njësiteve tjera në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë-Gjakovë”, thuhet në njoftim.
“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar të paraqitur në fotografinë e bashkangjitur, të lajmërojnë Policinë e Kosovës apo stacionin më të afërt policor”. /Telegrafi/