Njësia e antidrogës, me urdhër nga Gjykata Themelore e Prishtinës, ka realizuar bastisje në shtëpitë e dy personave të dyshuar në kryeqytet, pas informacioneve që L.K. dhe L.L., të njohur për policinë, dyshohet se merren me shitblerje të drogës në lagjen Mat.
Gjatë aksionit të zhvilluar dje rreth orës 15:00, nën asistencën e Njësisë për Reagim të Shpejtë (NJRSH), në shtëpinë e të dyshuarit L.L. janë gjetur dhe konfiskuar:
Një revole Parabellum dhe një karikator me 7 fishekë të kalibrit 9 mm.
Një revole Super Sport dhe 12 fishekë të kalibrit 9 mm.
I dyshuari tjetër, L.K., ka tentuar të largohet nga dritarja me një sasi droge në dorë kur ka vërejtur policinë, por është ndaluar dhe arrestuar.
Në bastisjen e shtëpisë së tij janë gjetur:
Pesë qese me substancë narkotike të llojit marihuanë, me peshë totale 1 kilogram e 503.3 gramë.
Dy peshore digjitale për matjen e narkotikëve.
50 fishekë me gaz të kalibrit 9 mm.
1,695 euro, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e narkotikëve.
Pas intervistimit dhe në konsultim me prokurorin kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, L.K. është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, me dyshimin për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
Ndërkohë, i dyshuari L.L. ndodhet në arrati, dhe prokurorja ka urdhëruar që rasti të ndahet dhe të procedohet në Departamentin e Përgjithshëm.
Në vendngjarje ka intervenuar Njësia e Forenzikës Rajonale – Prishtinë, e cila ka bërë fotografimin dhe konfiskimin e dëshmive si prova materiale.
Hetimet për rastin po vazhdojnë nga autoritetet kompetente në bashkëpunim me organet e drejtësisë./Telegrafi/