Telegrafi

Policia kap kokainë e heroinë në vlerë 153 mijë euro, dy të arrestuar në Prishtinë e Ferizaj

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë të mërkurës, në dy taste të ndara ka arritur të sekuestroj sasi të të konsiderueshme të heroinës dhe kokainës si dhe ka arrestuar dy persona.

Rasti i parë ka ndodhur në Prishtinë, ku Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me institucione vendore të sigurisë, me datën 21.08.2024, pas një pune intensive-hetimore në terren, ka ndërmarrë hapa operativë, me ç’rast ka identifikuar një person shtetas të Maqedonisë Veriore, i cili dyshohej se kishte në posedim të gatshëm për shitje një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit heroinë.

“Të dyshuarit të lartcekur me veturë substancën e dyshuar narkotike ia kanë sjellë dy persona tjerë, të cilët janë larguar me veturë nga vendi i ngjarjes.

Pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës tek personi i dyshuar janë gjetur 6 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë të përgjithshme prej 6 kilogramë e 137 gramë, ku vlera e substancës së dyshuar narkotike e cila është konfiskuar vlerësohet të jetë rreth 150.000 euro”, thuhet në njoftimin e policisë.

Lidhur me rastin në cilësi të provave materiale janë sekuestruar edhe këto dëshmi tjera materiale: 2 telefon celularë, një veturë dhe 4305 denarë të Maqedonisë Veriore.

“Të gjitha veprimet e ndërmarra dhe dëshmitë e gjetura të sekuestruara janë kryer me autorizimin e prokurorit kujdestar.

Personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të shtetit i dyshuari ndalohet për 48 orë, kurse dy personat e tjerë janë në kërkim policor”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq në rastin e dytë në Ferizaj, policia ka ndaluar për kontroll veturën me targa të huaja, ku gjatë kontrollit të veturës është gjetur një pako e cigareve, në brendi të së cilës ka qenë një qese najloni me substancë të dyshuar si e llojit kokainë.

“Nën dyshimet se mund të gjendet edhe ndonjë sasi tjetër e narkotikëve është kontrolluar një shtëpi banimi në Ferizaj, ku jeton i dyshuari, mirëpo nuk është gjetur asgjë e dyshuar.

Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë të përgjithshme 38.62 gramë, vlera e substancës së dyshuar narkotike vlerësohet të jetë rreth 3500 euro dhe para në monedhë letre 50 euro dhe 1500 kruna suedeze”, thuhet në njoftim.

Lidhur me rastin, për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori kompetent, me urdhër të të cilit i dyshuari pas intervistimit ndalohet për 48 orë. /Telegrafi/