Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë në lidhje me sulmin që ka ndodhur sot në një lokal në Prishtinë ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi.
Komunikata e plotë e Policisë:
Sot rreth orës 14:30, policia ka marrë informacionin se në rrugën “Ukshin Hoti” në Prishtinë, një person është sulmuar dhe rrahur nga persona të dyshuar.
Bëhet fjalë për viktimën: V. Kajtazi, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar në Qendrën Klinike Universitare për të marrë tretmanin e nevojshëm mjekësor.
Ndërlidhur me këtë rast policia ka shoqëruar në stacionin policor një person për ta intervistuar në lidhje me ngjarjen në fjalë.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë ngjarje, me një fokus të veçantë për identifikimin e personave të dyshuar.
Aktualisht në koordinim me prokurorin e shtetit po kryhen veprimet e fazës fillestare hetimore për të proceduar më tej në fazat e tjera. /Telegrafi/