Telegrafi

Policia jep detajet e grabitjes së mbrëmshme në lagjen “Dardani”

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të grabitjes së mbrëmshme në lagjen Dardani, ku janë arrestuar dy persona, njëri shtetas i Shqipërisë dhe tjetri i Kosovës.

Policia njofton se dy personat kishin hyrë në një biznes dhe nën kërcenim të një arme improvizuese në formë të pistoletës kishin grabitur kasën e lokalit.

Deri tani policia ka arrestuar dy persona, ndërsa dy të jetë janë në arrati.

“Rr. Mustafë Venhari, Prishtinë 03.01.2019-17:28. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj  (njëri shtetas i Shqipërisë dhe tjetri K/Shqiptar),  pasi që të njëjtit së bashku edhe me dy persona tjerë të dyshuar kishin hyrë në një biznes dhe nën kërcenim të një arme improvizuese në formë të pistoletës kishin grabitur kasën e lokalit. Rastit iu kanë përgjigjur njësitë policore dhe kanë arritur që dy të dyshuarit t’i arrestojnë. Ndërsa dy te dyshuarit tjerë gjenden në arrati”, thuhet në raportin e Policisë.

Referuar raportit policor janë identifikuar edhe të dyshuarit që gjenden në arrati si dhe me urdhër të GjPP-së, janë kryer bastisje në katër lokacione.

Nga këto bastisje janë konfiskuar në cilësi të provave materiale: një pistoletë-shkrepës që dyshohet se është përdorur në rast, një thikë, një maskë, një çantë krahu, një telefon, një kasafortë e zbrazët si dhe disa veshje të ndryshme që dyshohet se janë përdorur në raste të grabitjeve të armatosura.

Me vendim të prokurorit kujdestar, të dyshuari ndalen në qendrën e mbajtjes për 48 orë. /Telegrafi/

Foto: Ilustrim