Një shtëpi mbrëmjen e së enjtes është përfshirë nga një zjarrëvënie rreth orës 21:00 në lagjen e Doktorëve në Veri të Mitrovicës.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Besim Hoti.
Hoti tha se nuk ka persona të lënduar dhe janë shënuar vetëm dëme materiale.
Sipas tij, Policia e Kosovës deri më tani ende nuk e ka identifikuar kryerësin e kësaj vepre.
“Është zjarrëvënie dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Të lënduar nuk ka, vetëm dëme materiale”, ka thënë Hoti.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut të Mitrovicës tha po ashtu se për fat të mirë fqinjët përreth kanë ndihmuar në shuarjen e zjarrit.
“E rëndësishme është që zjarri është shuar nga fqinjët përreth aty. Dhe kur kanë mbërri njësitet e zjarrfikësve s’kanë pas nevojë, pasi fqinjët kanë ndihmuar në fikjen e zjarrit. Motivet momentalisht janë të panjohura rreth këtij akti. Nuk e kemi kryerësin e këtij akti ende. Megjithëse në një deklaratë ashtu siç i është thënë hetuesve policorë nga vet pronari i shtëpisë ka thënë së qëndron në raporte shumë të mira me të gjithë shqiptarë e serb dhe s’ka probleme, dhe ai s’ka dyshime mbi dikë. Tash mbetet të shikohet”, u shpreh Hoti për Telegrafin. /Telegrafi/