Telegrafi

Policia jep detaje rreth bastisjeve të sotme për fajde dhe disa raste të grabitjeve (Foto)

Policia e Kosovës, ka dhënë detaje lidhur me bastisjet e sotme, ku ka arrestuar pesë persona të dyshuar për fajde, detyrim dhe pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal.

Operacioni policor është zhvilluar në 11 lokacione të ndryshëm ku janë kontrolluar lokale e shtëpi të të dyshuarve, ku janë konfiskuar 16 mijë euro, 5 vetura, laptop, kallashnikov, revole dhe mjete të tjera me të cilat dyshohet se janë kryer veprat.

“Janë sekuestruar edhe dokumente të tjera. Të dyshuarit janë në mbajtje sipas procedurave të rregullta. Policia e Kosovës po vazhdon me hetime”, ka deklaruar nënkolonel Rexhep Fetahu në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

Të dyshuarit janë në mbajtje për 48 orë, sipas procedurave të rregullta.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani tha se referuar këtyre rasteve, Drejtoria e Përgjithshme ka ndërmarr masa konkrete për të parandaluar grabitjet të cilat janë shqetësuese për Policinë.

“Është arritur që të identifikohen edhe persona të tjerë të përfshirë në grabitje. Në këto raste po punohet intensivisht pasi që kemi zyrtarë policorë të cilët për Policinë e Kosovës njihen tri kategori njerëzish: Të dyshuar, viktima dhe dëshmitar”, tha Kelani.

Ai ka treguar se Inicialet e të dyshuarve që janë arrestuar sot në aksionin e policisë janë: D.B., Rr.B., I.S., L.B., M.G.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka njoftuar se hetimi është duke e zhvilluar për veprat penale “fajdeja”, “detyrimi” dhe “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”.

“Po ashtu, pasi ta kemi raportin informues me këtë urdhër kontrolle, do të veprohet me procedura tjera sipas KPP-së”, thuhet në njoftimin e Policisë.