Site icon Telegrafi

Policia jep detaje rreth arrestimit të katër personave për manipulim me vota

Një qytetar i Gjilanit ka fotografuar votën e tij, por i njëjti pas shoqërimit në stacion policor është liruar ne procedurë të rregullt.

Zëdhënësi i Policisë në regjionin e Gjilanit, Ismet Hashani ka treguar për KosovaPress se në mbulimin e shtatë komunave, ky stacion ka evidentuar vetëm këtë rast parregullsie.

“Përveç një rasti të fotografimit të votës, edhe këtu prokurori i shtetit menjëherë është kyç dhe ka urdhëruar që për momentin të mbetet vetëm me një shënim zyrtar, derisa të dihen detajet për qëllimin që e ka shtyrë për të fotografuar. Dhe në të gjitha pikat tjera në shtatë komuna tona është duke rrjedhur një proces jashtëzakonisht i qetë”, deklaron ai.

Hashani po ashtu ka folur edhe për rastin e djeshëm në Kllokot, ku dyshohet se katër persona janë përfshirë në shitblerje të votës.

Ai deklaron se prokurori i shtetit dhe hetuesit e Policisë e Kosovës janë duke hetuar këtë rast.

“Është raportuar një arrestim dhe ky ka ndodhur gjatë ditës së djeshme apo natës së mbrëmshme, ku katër persona në komunën e Kllokotit janë ndalur me vendim të prokurorit dhe ju ka caktuar masa e ndalimit 48 orë, pasi dyshohet se kanë manipuluar me vota dhe se provat materiale janë gjetur të një sasie të të hollave dhe disa fletëvotime që kanë qenë të gatshme për t’u përdorur për ditën e sotme”, deklaroi ai.manipulimi me

Agron Uka, i cili është prokuror kujdestar në Prokurorinë e Gjilanit ka konfirmuar rastin e fotografimit të rastit.

“Nuk ka arrestim, një person është shoqëruar në stacionin policor për fotografim të votës, i njëjti pastaj është liruar në procedurë të rregullt”, ka thënë ai. /kp/Telegrafi/

Exit mobile version