Një zyrtare policore rreth 50 vjeç është gjetur pa shenja jete në Gjilan.
Vdekjen e saj e kanë konfirmuar mjekët në vendin e ngjarjes, ndërkaq pranë trupit të viktimës është gjetur edhe një armë e zjarrit.
Në lidhje me rastin detaje ka dhënë shefi i hetimeve rajonale, nënkolonel Remzi Azemi.
Ai njoftoi tha prokuroria është duke e trajtuar rastin si “Vdekje e dyshuar”.
“Fatkeqësisht sot jemi njoftuar me një rast, për një trup të pajetë dhe kemi të bëjmë me një zyrtare policore. Zyrtarja në fjalë ka qenë në marrëdhënie të rregullta pune dhe ka qenë duke punuar në Gjilan. Ende jemi në vendin e ngjarjes, jemi në fazën e parë të hetimeve, në afërsi të trupit është gjetur një armë zjarri, dhe prokurori për krime të rënda në bashkëpunim me policinë rastin jemi duke e trajtuar si vdekje e dyshuar. Trupi me urdhër të prokurorit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore ku do të kryhet obduksioni dhe më pas prokuroria dhe policia do ta kenë një pasqyrë më të kjartë në lidhje me rastin e rëndë”, tha Azemi para medieve.
Azemi tha se i kanë njoftuar familjarët e viktimës dhe se do tu qëndrojnë pranë gjatë gjithë kohës.
“Vendi i saj i punës nuk përket me natyrën e hetimeve. Kemi njoftuar familjarët dhe një ekip e jona do të jetë pranë familjes, për t’i qëndruar pranë e të ju ndihmojmë për gjithçka që kanë nevoje”, tha Azemi. /Telegrafi/