Telegrafi

Policia jep detaje për vdekjen 30-vjeçarit në Prishtinë pas rrëzimit të lisit, si dhe gruas që mori lëndime serioze

Një person ka mbetur i vdekur si dhe një femër ka marr lëndime të rënda trupore si pasojë e rrëzimit të një peme (lisi) nga erërat e forta të hënën rreth orës 15:10, në Prishtinë.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, thuhet se viktima e cila ka marr lëndime të rënda trupore është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Ndërsa tutje në raport thuhet se me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në obduksion.

Lexo po ashtu Nga QKUK flasin për gjendjen e 30 vjeçares që e zuri lisi: Është jashtë rrezikut për jetë

“Si pasojë e erës së fortë është rrëzuar një pemë dhe e cila ka rënë mbi dy persona kalimtar të rastit. Si pasojë e plagëve të marra viktima mashkull kosovar ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa viktima femër kosovare  është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK me lëndime të rënda trupore. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në obduksion”, thuhet në raport.

Ndryshe, të hënën në një prononcim për Telegrafin mjeku kujdestar në QKUK, Ejup Govori pati thënë se “30 vjeçarja ka lëndime serioze në ekstremitet e poshtme”.

Lexo po ashtu Vdes 30-vjeçari në Prishtinë pas rrëzimit të drunjve, lëndime serioze merr një grua

“Gjendja e saj është stabile, pra është jashtë rrezikut për jetë, por ka lëndime serioze në ekstremitet e poshtme. Ende nuk kemi raport të detajuar por dyshohet për frakturë”, kishte thënë ai.

Govori kishte shtuar se: “E lënduara ka edhe dhimbje të shpinës dhe dyshohet se mund të ketë lëndime të unazës”.

Ndërsa, nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj një ditë më parë iu kishte bërë thirrje qytetarëve të kenë kujdes gjatë lëvizjes në qytet.

Ai përmes një shënimi në Facebook kishte apeluar për kujdes të shtuar sidomos në zonat ku ka drunj.

“Ju lutemi, për shkak të shiut të rrëmbyeshëm dhe erërave të forta, të keni KUJDES, sidomos në pjesët e qytetit që kane drunj përreth! Ekipet tona të shpëtimit janë në terren dhe po merren me rastet e aksidenteve”, kishte shkruar ai. /Telegrafi/