Sot rreth orës 13.30 në lagjen Pejton (rruga “Robert Doll”) të Prishtinës ka ndodhur një sulm fizik ndaj ekipit të RTV Dukagjinit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, thotë për Telegrafin se i dyshuari pas sulmit ka ikur nga vendi i ngjarjes.
“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të informacioneve të para dyshohet që një person ka sulmuar ankuesin dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes”.
“Ndërlidhur me rastin policia ka arrestuar një të dyshuar, mashkull, rreth 70 vjeç, përderisa ka iniciuar një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë ngjarjen me qëllim zbardhjen e plotë të tyre dhe në koordinim me prokurorin e shtetit po ndërmerr veprimet vijuese për procedim të mëtejmë të rastit”, ka njoftuar tutje Borovci.
Sulmin ndaj ekipit të RTV Dukagjinit e ka dënuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke shtuar se kjo shton edhe më shumë pasigurinë e gazetarëve në punën e tyre të përditshme.
“Njëri prej pronarëve të një lokali në vendin ku ekipi po xhironte fillimisht ka provuar të ndalojë filmimin, e më pas edhe e ka goditur kameramanin, Maxharraj”, thuhet në njoftimin e AGK-së./Telegrafi/