Telegrafi

Policia jep detaje për rrahjen e gazetarit të RTK-së, Altin Ahmeti

Gjatë natës së mbrëmshme, në një kafiteri në Prishtinë, është rrahur, kryeredaktori i ueb-faqes së RTK-së, Altin Ahmeti.

Në lidhje me rastin ka raportuar edhe Policia e Kosovës, në raportin 24-orësh, që e ka cilësuar rastin si ‘lëndim i lehtë trupor’.

Sipas raportit, personi që e sulmoi Ahmetin është ende në arrati.

“Rr. B, Prishtinë 01.03.2020 – 22:15. Viktima mashkull K/Shqiptar, gazetar i RTK-së ka raportuar se derisa kishte qenë në një kafiteri për motive të panjohura ishte sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull K/Shqiptar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, viktima si pasoj e sulmit ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari  gjendet në arrati. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i cili e ka cilësuar rastin dhe vazhdon të hetohet”, thuhet në raport.

Siç raporton RTK sulmi fizik ndaj gazetarit Ahmeti, ka ndodhur në lokalin “Friends Aveny” të kryeqytetit.

Lexo po ashtu Rrahet brutalisht kryeredaktori i web-faqes së RTK-së

Edhe pse ende nuk dihen rrethanat se shkaqet se pse ka ndodhur një sulm i tillë, është raportuar se pesë personat kanë hyrë në këtë lokal dhe e kanë rrahur kryeredaktorin e ueb-faqes së RTK-së.

Ndërkaq, personi që dyshohet për sulmin brutal është zyrtari i Telekomit të Kosovës, Gëzim Makolli.

“Pesë vetë më sulmuan dhe dolën duke më kërcënuar se do të më vrasin. Personi në fjalë është Gëzim Makolli. E ftova policinë dhe prokurorinë. Nuk i di arsyet e sulmit”, ka thënë Ahmeti.

Policia dhe prokuroria janë në dijeni të ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin. /Telegrafi/