Nga të shtënat me armë zjarri mbrëmë rreth orës 23:15, tre persona kanë mbetur të plagosur në Rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë.
Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh ka dhënë detaje në lidhje me këtë rast.
“Rr. Muharrem Fejza, Prishtinë 27.08.2021 – 23:07. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili për shkaqe ende të panjohura kishte gjuajtur me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë të cilët janë plagosur dhe janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor”, thuhet në raport.
Tutje, PK-ja shton se, “Në të njëjtin rast lëndime trupore nga thika kishte marr edhe një person tjetër viktima mashkull kosovar i cili ka pranuar tretman mjekësor”.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore të cilat kanë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja të armës së zjarrit dhe dy thika. Nga i dyshuari është sekuestruar një pistoletë me 3 fishekë, armë e cila dyshohet se ishte përdorë në rast. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raport. /Telegrafi/