Policia e Kosovës gjatë të martës ka arrestuar dy persona në qytetin e Vushtrrisë, në mesin e të cilëve ishte Nazmi Mulaku i njohur në rrjetet sociale si “Bio Mulaku” i cili pretendonte se ishte mjek popullor.
Lidhur me arrestimin e tij policia përmes raportit 24 orësh ka dhënë detaje të reja.
I njëjti thuhet se dyshohet se ka kryer veprën penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore apo farmaceutike e mashtrim”.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë me dyshimin e bazuar se kishin ushtruar veprimtari mjekësore pa pasur kualifikime profesionale, duke mashtruar persona të ndryshëm kinse janë duke i shëruar nga sëmundje të ndryshme. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, ka njoftuar policia.
Nazmi Mulaku, i njohur në “TikTok”, si Nazmi Bio Mulaku, publikonte në vazhdimësi video, përmes të cilave pretendonte se po shëronte disa sëmundje, si depresioni etj.
Në disa video, ai shihej duke keqtrajtuar edhe disa qytetarë. /Telegrafi/