Policia e ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e Dardan Molliqajt dhe 12 zyrtarëve të tjerë të PSD-së.
Arrestimi i tyre është bërë në objektin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Aktivistët e PSD-së kishin hyrë në ambientet e ZRRE-së dhe ndalur rrymën, duke insistuar se nuk do t’i lëshojnë zyrat deri në publikimin e vendimit të fundit mbi tarifat e reja të rrymës.
Ndërkaq sipas policisë, rreth orës 15:00, në rrugën “Bekim Fehmiu” në Prishtinë, saktësisht në objektin e ZRRE-së, me urdhër të prokurorit të shtetit, janë arrestuar 13 persona.
PK thotë se megjithëse policia vazhdimisht u ka bërë thirrje që të dalin nga objekti dhe të vazhdojnë aktivitetin e tyre, duke mos penguar zyrtarët e institucionit në fjalë, të njëjtit nuk janë bindur.
“Duke parë që kanë dështuar të gjitha përpjekjet tjera, në përputhje me autorizimet policore dhe urdhrin e prokurorit të shtetit, janë arrestuar 13 nga ta dhe aktualisht po vijon ndërmarrja e veprimeve në këtë fazë preliminare hetimore”, thuhet në njoftim.
Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, konform rekomandimit të prokurorit të shtetit për cilësimin e veprës për të cilën dyshohen, personat e arrestuar do të procedohen më tej.
Ndërkaq kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka thënë se vendimi i ZRRE-së për ndryshimin e tarifave do të publikohet brenda 30 ditëve.
Fejzullauh ka shtuar se kurdo që të përfundohet, ai do të publikohet.
“Mu po më vjen shumë mirë që ka pasur shumë komente, sepse kjo do të thotë se ka më shumë besim te ne. Kushdo që ka dërguar komente ne i jemi përgjigjur me shkrim. Ne do t’u përgjigjemi edhe juve. Mund ta organizojmë një takim dhe t’u përgjigjemi. Ne po kërkojmë që vetëm sipas procedurave të sillemi”, ka thënë ai. /Telegrafi/