Telegrafi

Policia jep detaje për aksidentin e shkaktuar nga ministrja Hajdari

Gjatë ditës së diele Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ishte përfshirë në një aksident në Prishtinë.

Derisa ishte duke drejtuar veturën e saj, ministrja Hajdari kishte goditur një fëmijë i cili ishte duke kaluar rrugën vrullshëm.

Policia e Kosovë në raportin 24 orësh ka dhënë detaje në lidhje me këtë aksident. Sipas policisë fëmija ka pësuar lëndime dhe menjëherë i njëjti ka pranuar tretman mjekësor.

“E dyshuara femër kosovare përderisa ishte duke drejtuar veturën, godet viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor”, njofton policia.

Lidhur me këtë gjë ka reaguar edhe vetë ministrja Hajdari , duke e shpjeguar më tej rastin dhe mënyrën se si kishte ndodhur vetë aksidenti i shkaktuar nga ajo.

“Për hir të informimit te drejtë, sot në mesditë në rrugën Vicianum në lagjen “Arbëria” të Prishtinës, gjersa po kthehesha me veturën time personale për në banesë, gjatë vozitjes sime pranë Meridian Market, papritmas u shfaqën dy fëmijë në vrapim për të kaluar rrugën, ku fatkeqsisht njëri nga ta u përplas anash në veturën time.  Me shqetësim menjëherë kam reaguar, duke i ofruar ndihmë fëmiut dhe kam lajmëruar Policinë të cilët janë marrë me gjithë evidencën e rastit”, kishte shkruar ajo në rrjetin social Facebook./Telegrafi/