Policia e Kosovës përmes një komunikate për medie ka bërë të ditur se tashmë ka identifukuar personat të cilët kishin dërguar një mesazh të pavërtetë, me përmbajtje dezinformuese në lidhje me coronavirusin (COVID-19).
Mesazhi i cili u shpërnda gjatë të martës në rrjete sociale i ftonte qytetarët për të bërë analizat në QKUK, nuk ishte një mesazh të cilin e kihsin dërguar institucionet shëndetësore në Republikën e Kosovës, edhe pse dukej i tillë.
“Policia e Kosovës, pas pranimit të një informacioni nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me një mesazh me përmbajtje dezinformuese, i cili nuk ishte lëshuar nga asnjë institucion shtetëror dhe shëndetësor i Kosovës, është trajtuar dhe hetuar në aspektin policor. Përmbajtja e këtij mesazhi i cili ka qarkulluar përmes rrjeteve sociale dhe disa portaleve online, përmes të cilit i është bërë ftesë qytetarëve për analiza rreth Coronavirusit në QKUK, ka shkaktuar dezinformimin e opinionit dhe qytetarëve”, thuhet në komunikatën e PK.
Policia tashmë ka marrë veprimet e nevojshme në lidhje me këtë rast, pasi u raportua dhe u identifikuan personat përgjegjës.
“Policia e Kosovës, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, ka ndërmarr veprime të menjëhershme me ç‘rast ka arritur që të identifikoj personin/at të cilët dyshohet se qëndrojnë prapa këtij mesazhi. Ajo çfarë mund të konfirmojmë është se ky mesazh ishte mashtrues, i njëjti është krijuar dhe dërguar tutje fillimisht nga një person, tani i njohur për Policinë e Kosovës. Policia e Kosovës në bashkërendim me Prokurorin e Shtetit, janë duke ndërmarr veprimet e nevojshme procedurale rreth këtij rasti”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/