Telegrafi

Policia gjermane dhe malazeze falënderojnë Policinë e Kosovës për bashkëpunim profesional

Policia gjermane, në këtë rast zyrtarët nga Policia Krahinore e Krimit në Berlin, kanë adresuar një falënderim të veçantë Policisë së Kosovës në lidhje me konfiskimin e veturës së përvetësuar BMW 320 më 05.0.2023 në Mitrovicë e Veriut, e cila ishte në kërkim nga autoritetet gjermane.

“Përmes bashkëpunimit profesional me Drejtorinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit (ILECU), po ashtu edhe angazhimit të jashtëzakonshëm dhe veprimit të shpejtë e profesional, të zyrtarëve policorë nga DRP Mitrovicë Veri, është arritur të gjendet dhe konfiskohet vetura BMW (vlera e përafërt 65.0000 €) e përvetësuar në Berlin”, njofton Policia e Kosovës.

Pala gjermane ka cituar ‘Këtë sukses të shkëlqyeshëm në një ambient të vështirë e ka bërë të mundur veprimi i matur i kolegëve të Policisë së Kosovës’.

Poashtu Policia Malazeze falënderoi Policinë e Kosovës me rastin e bashkëpunimit të suksesshëm në arrestimin e personit të dyshuar J.S.,  i kërkuar nga Mali i Zi me urdhër arrest ndërkombëtar për shkak të dyshimit se ka kryer vepra të rënda penale si pjesëtar i organizatës kriminale.

Personi i kërkuar  është lokalizuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës më datë 24 maj 2023.

“Në emër të policisë kriminale malazeze shprehim mirënjohjen dhe respektin për angazhimin dhe bashkëpunimin e jashtëzakonshëm të treguar në këtë rast si dhe në të gjitha rastet e mëhershme të bashkëpunimit”, thuhet në mesazhin e policisë malazeze./Telegrafi/