Telegrafi

Policia gjen kokainë në një veturë me targa të huaja – i dyshuari e kishte blerë në Shqipëri

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, sot në pikë kalimin kufitar në Vërmicë ka organizuar një plan taktik, ku janë profilizuar dhe selektuar për t’i dërguar në kontroll të vijës së dytë automjete dhe persona me potencial kriminal.

Gjatë operacionit taktik është ndaluar një veturë me targa të huaja e cila pas nënshtrimit të procedurave të parapara në pikë kufitare, është selektuar për kontroll në vijën e dytë të kontrollit, ku gjatë kontrollit të mjetit të lartcekur në një kuti çamçakëzi brenda një çante është gjetur një qese me pluhur të bardhë, substancë e dyshuar e llojit kokainë, në sasi prej rreth 8 (tetë) gramësh.

“Në vendngjarje kanë dalë edhe njësitë e antidrogës për procedura të mëtejme dhe ndaj automjetit të përfshirë në rast është realizuar edhe një kontroll me skan, me ç’rast nuk është gjetur asgjë tjetër e dyshuar.

Lidhur me rastin drejtuesi i mjetit i dyshuari Y. M. (viti i lindjes 2005) dhe pasagjerët me iniciale A. A. (viti i lindjes 2000), N. A. (viti i lindjes 1999) dhe E. O. (viti i lindjes 1999) që të gjithë shtetas të huaj, janë shoqëruar në zyrat e DHTN-së për intervistim, ku gjatë intervistimit nën prezencë të avokatit sipas detyrës zyrtare, i dyshuari me iniciale Y. M. ka pranuar se sasia e substancës së dyshuar i përket atij dhe se e njëjta është blerë në Republikën e Shqipërisë”, njofton policia.

Pas konsultimit me prokurorin kompetent, me urdhër të të njëjtit personi i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt dhe ndaj të njëjtit është iniciuar rasti ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’, pasaporta e personit të dyshuar dhe substanca e dyshuar narkotike janë sekuestruar për procedura të mëtejme hetimore. /Telegrafi/