Site icon Telegrafi

Policia fton qyetetarët të marshojnë të qetë

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se, ka bërë përgatitjet e nevojshme operacionale policore për mbarëvajtjen e marshit të paraparë të mbahet, sot në orët e pasdites në Prishtinë.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se, lidhur me këtë PK-ja, ka filluar me kohë përgatitjen dhe ndërmarrjen e masave që kanë për qëllim mbarëvajtjen e marshutës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë për qytetarët dhe ofrimin e sigurisë në trafik.

“Policia do të ndërmerr masat e nevojshme preventive, operative policore për të siguruar që mbarëvajtja e marshutës të kalojë pa ndonjë incident, që pjesëmarrësit të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike”, thuhet në njoftimin e Policsë.

Policia ka ftuar qytetarët që të marshojnë të qetë.

“Sipas procedurave të parapara policia do të merr masa dhe do të shtojë aktivitetet operative para, gjatë dhe pas përfundimit të marshutës, andaj ftojmë qytetarët pjesëmarrës që të marshojnë të qetë dhe që kërkesat e tyre t’i shpalosin në mënyrë demokratike”, vijon komunikata.

Ndryshe, Platforma “Liria ka emër” do të organizojë sot në Prishtinë marsh qytetar dhe solidarizues në mbështetje të luftës së drejt të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre në Hagë.

Marshi do të niset nga sheshi “Zahir Pajaziti”, në orën 14:00 dhe do të vazhdojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu”. Organizimi i këtij marshi ka marrë mbështetjen e partive politike, shoqërisë civile, personalitete të ndryshme, bashkësi fetare dhe shumë qytetarë.

Ideatorët e platformës “Liria ka emër, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli kanë thënë se ish-krerët e UÇK-së nuk janë duke u përballur me procesin gjyqësor për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak se me emrat e tyre lidhet epoka më e ndritur e historisë sonë të re. /Telegrafi/

Exit mobile version