Forcat e sigurisë egjiptiane vranë 14 militantë të dyshuar për sulmin e djeshëm në një pikë kontrolli policor në veri të gadishullit të Sinai, kur të paktën tetë oficerë policie u vranë, njoftoi sot Ministria e Brendshme.
Me këtë, numri i militantëve të vrarë pas sulmit në qytetin e Al Arish u rrit në gjithsej 19.
Përgjegjësia për sulmin u mor nga Shteti islamik.
Ministria e Punëve të Brendshme tha se forcat e sigurisë zbuluan militantët, të cilët më pas u arratisën në një shtëpi të braktisur në Al Arish.
“Forcat e sigurisë i rrethuan dhe hapën zjarr. Në përplasje, 14 militantë u vranë “, thuhet në deklaratë.
Gjatë këtij aksioni, forcat e sigurisë gjetën 14 pushkë automatike, tre pajisje shpërthyese dhe dy xhaketa për kryerjen e sulmeve vetëvrasëse. /kp/Telegrafi/