Tifozët e Liverpoolit janë paralajmëruar nga policia e Tajlandës për një mashtrim që rrethon zëvendësuesin e mundshëm të Jurgen Kloppit, Xabi Alonso.
Policia ka thënë se një llogari e rreme e verifikuar në Instagram që kinse është trajneri i Bayer Leverkusen, ka qenë duke kërkuar donacione prej kohësh.
Tifozët e Liverpoolit janë tronditur nga njoftimi i papritur i Kloppit nga java e kaluar se ai do të largohet nga pozicioni i tij në fund të sezonit. Zëvendësimi i gjermanit do të jetë një kërkesë e madhe për gjigantët Merseyside duke marrë parasysh atë që ai ka bërë në klub gjatë viteve.
Xabi Alonso, i cili kishte një periudhë si lojtar i Liverpoolit dhe fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2005, është cilësuar si favorit për të zëvendësuar gjermanin në Anfield. Ish-reprezentuesi spanjoll po bën një punë fenomenale si trajner i Bayer Leverkusenit pasi ata janë skuadra e vetme e pamposhtur në pesë ligat më të mira evropiane.
Ndërsa Alonso është sugjeruar për punën e Reds, policia e Tajlandës ka paralajmëruar për një mashtrim të vazhdueshëm në vendin e Azisë Juglindore. Llogaria e rreme e verifikuar në Instagram e Alonsos po kërkon donacione prej dhjetë mijë euro për të ndihmuar në pagesën e biletës së tij të fluturimit për në Liverpool, raporton Daily Mirror.
“Unë jam Xabi Alonso, do të jem në krye të Liverpoolit sezonin e ardhshëm, por më mungojnë paratë për fluturimet e mia në Liverpool”, thuhet në mesazhin mashtrues.
Përveç Xabi Alonso, Roberto De Zerbi, Thomas Frank, Steven Gerrard, Julian Nagelsmann dhe Ruben Amorim të gjithë janë lidhur me një kalim në Anfield. /Telegrafi/