Telegrafi

Policia e rikthen drejtorin e shkarkuar! (Dokumente)

Pa kaluar një muaj që kur drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni e kishte shkarkuar drejtorin e Prokurimit, Blerim Dina, për faktin se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës e kishte konsideruar si jo të rregullt zgjedhjen e tij në atë post, ai është rikthyer në pozitën e zyrtarit të lartë të prokurimit.

Nga burime brenda Policisë së Kosovës merret vesh se rikthimi i tij ka ndodhur në fund të muajit të kaluar. Është siguruar edhe vendimi për rikthimin e tij në vendin e punës.

Pas vendimit që Maxhuni kishte marrë që ta shkarkonte Dinën, ky i fundit kishte bërë ankesë në Komisionin për Ankesa dhe Shpërblime, komision ky i cili e rikthej në pozitën e Zyrtarit të Lartë të Prokurimit.

Gazeta Blic i ka siguruar edhe vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës si dhe vendimin e Gjykatës, e cila e kishte refuzuar kërkesën për rastin e Dinës.

Sidoqoftë, Komisioni për Ankesa dhe Shpërblime, në vendimin e tij, thuhet se ankesa e Blerim Dinës aprovohet si e bazuar, derisa anulohet vendimi i drejtorit Maxhuni.

“Personeli Policor Staf Civil Blerim Dina, rikthehet në marrëdhënie punë në Policinë e Kosovës në Pozitën: Zyrtar i lartë i Prokurimit, Sektori për Furnizime, Drejtoria e Prokurimit, Departamenti për Shërbime Mbështetëse…”, thuhet në vendim.

Po ashtu obligohet Drejtoria për buxhet dhe financa që Dinës t’i kompensohet paga për aq kohë sa ka qenë i shkarkuar.

Lajmi është konfirmuar edhe nga ana e Policisë së Kosovës.

Nga Zyra për informim e Policisë së Kosovës, i kanë thënë Gazetës Blic Komisioni për Ankesa dhe Shpërblime ka marrë vendim për sistemim në ndonjë pozitë tjetër që i përgjigjet përgatitjes profesionale dhe kualifikimit të tij deri në një vendim definitiv gjyqësorë.

“Për informacion tuaj z. Blerim Dina nuk është rikthyer në pozitën e Drejtorit të Drejtorisë se Prokurimit dhe për këtë rast Gjykata akoma nuk ka marr vendim definitiv gjyqësorë sipas padisë në rastin konkret. Ndërsa pas vendimit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës z. Blerim Dina për pozitën Drejtor i Prokurimit, i njëjti në afat ligjorë ka bërë ankesë në Komisionin e Ankesave dhe Shpërblimeve. Ky Komision ka marrë vendim për sistemim në ndonjë pozitë tjetër që i përgjigjet përgatitjes profesionale dhe kualifikimit të tij deri në një vendim definitiv gjyqësorë. Vendimet e Komisionit te Ankesave dhe Shpërblimeve janë përfundimtare në procedurën administrative brenda Policisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Dëshmia e rikthimit të Blerim Dinës në detyrën e Zyrtarit të Lartë të Prokurimit


Ndryshe, drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni kishte marrë vendim që ta shkarkoj drejtorin e prokurimit, Blerim Dina, për faktin se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, kishte konstatuar se është bërë shkelje e procedurave në zgjedhjen e tij.

Vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës, ku i refuzohet ankesa e Policisë për rastin e Dinës