Departamenti i policisë së Nju Jorkut ka publikuar pamjet e një burri, i cili qëllon për vdekje me revole në mes të ditës në Brooklyn një burrë.
Rodney Harrison, shef i policisë në Nju Jork, ka publikuar pamjet e të shtënave që ndodhën gjatë të premtes, transmeton Telegrafi.
Në video shihet një i ri duke ecur nëpër Brownsville që mbante duart në xhepa. Disa sekonda më pas, i afrohet nga pas një burri tjetër i cili nxjerr revolen dhe e qëllon.
Pasi përfundon “misionin” ai largohet nga vendi i ngjarjes sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Mediat amerikane raportojnë se si pasojë e sulmit ka humbur jetën Deondrayt Moore, 20-vjeç, i cili u qëllua në kokë.
Por aty e pësoi edhe një kalimtare rasti e identifikuar si Shaquana Fields, 36-vjeçe, e cila u qëllua në gjoks dhe kraharor. Që të dy janë dërguar me urgjencë në spital, por Moore nuk i mbijetoi plagëve.
Policia kërkon ndihmë nga qytetarët nëse kanë ndonjë informacion që do të qonte në kapjen e vrasësit, i cili aktualisht është në arrati. /Telegrafi/