Policia në Mal të Zi ka identifikuar tre persona nga Herceg Novi të cilët dyshohet se kanë sulmuar sot shtetasit shqiptarë.
Sipas mediave në Mal të Zi, përcjell Telegrafi, informacionin për incidentin e ka publikuar fillimisht Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve (DUA), ku thuhet se tetë persona me uniformë ushtarake kanë sulmuar tre shtetas shqiptarë në Kotor.
Nga policia është bërë e ditur se janë sekuestruar pamjet video nga kamerat e vëzhgimit nga pallatet e afërta dhe se janë identifikuar tre sulmues.
“Përmes punës operative në terren, pjesëtarët e policisë kanë identifikuar tre persona nga Herceg Novi, si autorë të sulmit fizik, identiteti i të cilëve më pas është përcaktuar”, ka thënë policia.
Ata thonë se, sipas informacioneve të deritanishme, shkak i ngjarjes ka qenë një incident në komunikacion.
Për ngjarjen është njoftuar prokurori kompetent, i cili do të deklarojë kualifikimin e tij ligjor pas ndërmarrjes së masave dhe veprimeve të mëtejshme të urdhëruara në lidhje me këta persona, si dhe identifikimin e autorëve të tjerë të mundshëm dhe publiku do të njoftohet me kohë, ka theksuar më tej policia.
Paraprakisht, kryeministri Milojko Spajiq kishte bërë të ditur se një nga sulmuesit ishte identifikuar dhe njoftoi se informacionet për të tjerët do të dihen së shpejti. /Telegrafi/