Telegrafi

Policia e Kosovës zbulon parcelë me kanabis sativa në Gjakovë, asgjëson rreth 100 bimë

Policia e Kosovës ka identifikuar një zonë të mbjellë me bimë narkotike në një vend malor të thellë në komunën e Gjakovës, gjatë një operacioni të suksesshëm më 4 shtator 2024.

Operacioni, i cili u krye nga njësitet e policisë kufitare të DRPK “Perëndimi” në Gjakovë, u mbështet nga Njësia e Antidrogës dhe përfshiu identifikimin dhe asgjësimin e rreth 100 bimëve të dyshuara narkotike të llojit kanabis sativa, me gjatësi nga 1 deri në 2.5 metra.

Njësitet policore të specializuara, pas një pune të gjatë operative dhe hetimore, arritën të lokalizojnë parcelën e dyshuar dhe të mbledhin prova materiale, përfshirë mostra të bimëve narkotike dhe të tjera të rëndësishme për hetimin. Pas mbledhjes së provave, bimët narkotike u asgjësuan në vendin e ngjarjes.

Duke pasur parasysh se zona e dyshuar ndodhej afër kufirit me Shqipërinë, Policia e Kosovës bashkëpunoi ngushtë me Policinë Kufitare dhe të rendit të Republikës së Shqipërisë për të siguruar perimetrin e jashtëm të zonës, si nga toka ashtu edhe nga ajri.

Prokuroria Themelore në Gjakovë është njoftuar lidhur me rastin dhe ka hapur një çështje që tashmë i nënshtrohet procedurave përkatëse hetimore.

Ky operacion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Policisë së Kosovës për të luftuar kultivimin dhe trafikimin e substancave narkotike në vend. /Telegrafi/