Shefi i Misionit të OSBE-së, ambasadori Jan Braathu, priti sot Komandantin e Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, Kapiten Amir Gërgurin, Drejtorin e Divizionit të Trajnimeve, Kolonel Milorad Çorac, dhe ekipet e tyre për t’i falënderuar dhe për t’iu ndarë certifikata të mirënjohjes për trajnimin themelor të sigurisë që kanë ofruar për një grup prej 75 pjesëtarësh të Misionit të OSBE-së.
Trajnimi treditor për sfidat e sigurisë gjatë tubimeve publike dhe mënyrat për tu ballafaquar me to është përmbyllur më 27 shtator 2017 dhe ka pasur për qëllim të pajis personelin e Misionit të OSBE-së me njohuri teorike dhe demonstrim praktik të procedurave të policisë gjatë këtyre ngjarjeve.
Sipas njoftimit nga OSBE, kurrikula e trajnimit ishte e bazuar në materialet dhe njohuritë e Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës lidhur me bazën ligjore për intervenimet, strategjitë e menaxhimit të turmave, shenjat dhe sinjalet në lidhje me përdorimin e forcës dhe me këshillat për atë se çfarë duhet ditur dhe çka duhet bërë kur turma bëhet e dhunshme.
“Nevoja për këtë trajnim ka ardhur nga azhurnimi i Procedurës Standarde të Veprimit të Misionit të OSBE-së për monitorimin e protestave dhe tubimeve publike, domethënë është bazuar në nevojën për të përmirësuar planifikimin dhe organizmin e monitorimit të protestave nga ana e Misionit të OSBE-së, si dhe për mbrojtjen e monitoruesve tanë në terren. Prandaj ne konsideruam se do të ishte e dobishme që të trajnoheshim nga zyrtarë për zbatimin e ligjit që janë përgjegjës për ruajtjen e rendit publik gjatë protestave. Ne jemi tejet të kënaqur me trajnimin dhe përpjekjen e përgjithshme që është bërë nga Njësia Speciale Operative e Policisë së Kosovës dhe jemi jashtëzakonisht të impresionuar me shkathtësitë e tyre,” tha Silviu Sandru, Shef i Sigurimit në Misionin e OSBE-së në Kosovë.
Trajnimi përfshiu simulime praktike përmes së cilave u shpjeguan skenarë të ndryshëm të protestave, me theks të veçantë në atë se si të identifikohen situatat e rrezikshme dhe se si të shmanget ndërhyrja në një operacion policor gjatë monitorimit të protestës.
“Gjatë karrierës tonë policore, ne kemi pasur mundësinë që të trajnohemi dhe të bashkëpunojmë me organizatat ndërkombëtare, kemi fituar përvojë dhe tani jemi në fazën e këmbimit të përvojave dhe të japim trajnime për të tjerët dhe unë jam shumë krenar për këtë,” Toger Besart Ahmeti, Shef i Njësisë Speciale Operative, u tha pjesëmarrësve gjatë trajnimit.