Telegrafi

Policia e Kosovës thotë se janë identifikuar 29 fëmijë lëmoshë-kërkues dhe 13 të dyshuar

Policia e Kosovës ka zbatuar Planin Operativ ‘Identifikimi i fëmijëve lëmosh-kërkues si viktima të mundshme të trafikimit’, i cili është shtrirë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, në periudhën kohore 03.12.2018 deri më 07.12.2018.

Sipas një njoftimi, në realizim të këtij plani, pos Njësive të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, kanë qenë të përfshirë edhe: Prokuroritë e rajoneve përkatëse, Qendrat për Punë Sociale, Drejtoria për Migrim dhe të Huaj e PK-së dhe Njësitë policore nga stacionet policore përkatëse.

Dhe siç thuhet në njoftim, gjatë zbatimit te këtij plani operativ janë hasur këto dukuri dhe kryer këto veprime:

• Janë identifikuar 29 fëmijëve lëmoshë-kërkues (21 shtetas të Kosovës dhe 8 shtetas të Shqipërisë),

• Janë identifikuar 13 persona të dyshuar,

• Janë iniciuar 10 raste nga Neni 250 i Kodit Penal ‘Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’,

• Të gjithë fëmijët lëmoshë kërkues kanë qenë të shoqëruar nga familjarët e tyre,

• Gjatë marrjes në pyetje nuk është identifikuar asnjë viktimë e trafikimit,

• Shtetasit e huaj janë dorëzuar Drejtorisë për Migrimi dhe të Huaj që të vazhdojnë me veprime bazuar në Ligjin për të Huaj,

• Për shtetasit kosovar, në konsultim me prokurorët përkatëse, janë iniciuar 10 raste ‘Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’.

Kështu, siç thuhet tutje, Policia e Kosovës do të vazhdojë të realizojë detyrat e saja kushtetuese e ligjore, të shtojë aktivitetet në luftimin e dukurive antiligjore, të mbajë rendin dhe sigurinë publike, të parandalojë dhe t’i zbulojë veprat penale, përfshirë keqtrajtimin e fëmijëve dhe trafikimin me njerëz. /Telegrafi/