Site icon Telegrafi

Policia e Kosovës me aksion të ri kundër trafikimit të armëve

Policia e Kosovës është duke zhvilluar një aksion policor në disa komuna.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Baki Kelani.

“Sot në orët e hershme të mëngjesit Policia e Kosovës, me urdhëresë të Gjykatës kompetente ka filluar realizimin e një operacioni policor, i cili ndërlidhet me parandalimin e trafikimit me armë dhe veprimtari të tjera kriminale. Operacioni policor i cili përfshinë disa lokacione të ndryshme, po realizohet në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorin kompetente”, tha Kelani.

Zëdhënësi i Policisë, shtoi tutje se pas përfundimit të operacionit do të jepen informacione shtesë.

Policia e Kosovës edhe gjatë ditës së djeshme ka realizuar një aksion policor në disa lokacione në Prishtinë, ku ka arrestuar 12 persona.

“Janë arrestuar tre persona të dyshimtë në operacionin e sotëm që ka filluar në orët e hershme të mëngjesit dhe janë kontrolluar 12 lokacione dhe janë ndalur 9 persona të dyshimtë. Në të dy këto operacione janë gjetur laboratorë të pajisur me aparatura dhe materiale për prodhimin e dokumenteve të ndryshme të falsifikuara si pasaporta, patentë shoferi, kartela identifikimi të gjitha këto nga më shumë 16 shtete të ndryshme të BE-së. 12 persona janë arrestuar dhe të tjerët në paraburgim. Hetimet janë kryer në bashkëpunim me Europol-in, Shqipërinë dhe me disa shtete të BE-së. Janë sekuestruar aparatura materiale, dokumentet”, ka bërë të ditur kolonele, Florije Hajra. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version