Telegrafi

Policia e Kosovës pranoi një donacion prej 15 veturave nga Gjermania

Policia Federale e Gjermanisë sot në një ceremoni të organizuar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës dhuroi 15 vetura për Policinë Kufitare të Kosovës.

Pranim dorëzimi i këtij donacioni u nënshkrua nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe ambasadori i Gjermanisë, Jörn Rohde.

Mehmeti theksoi se ky donacion dëshmon bashkëpunimin e fuqishëm të Policisë së Kosovës me atë të Gjermanisë, në luftimin e krimit të organizuar dhe atij trans-kufitar.

Si shumë të rëndësishëm këtë donacion e ka cilësuar edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, i cili rikonfirmoi bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme për Policinë e Kosovës e në veçanti për Policinë Kufitare.

“Pesëmbëdhjetë automjetet që erdhën si dhuratë janë të modelit Duster nga prodhuesi Dacia, veturë kjo e cila dallohet për multi-funksionalitetin teknologjik, ashtu sikurse për qasjen e mirë në terrene të ndryshme pavarësisht vështirësisë, e që janë të nevojshme për Policinë Kufitare”, thuhet në njoftim.

Mehmeti, falënderoi ambasadorin gjerman dhe Policinë Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin, përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme që shteti gjerman ka bërë dhe po bën ndaj Policisë së Kosovës. /Telegrafi/