Telegrafi

Policia e Kosovës me plan operacional për zgjedhjet e 6 tetorit

Policia e Kosovës do të angazhojë një numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policor të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës, si dhe ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në procesin e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Gjatë një takimi sot në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, drejtori i Përgjithshëm Rashit Qalaj, ka folur lidhur me angazhimin e Policisë së Kosovës në implementimin e planit policor për “Zgjedhjet e parakohshme parlamentare -2019”.

Në këtë takim morën pjesë zëvendësdrejtorët e PK-së, drejtorët e departamenteve, divizioneve, drejtorive rajonale, komandantët e stacioneve policore dhe përfaqësues të ICITAP-it amerikan, të cilët u njoftuan lidhur me planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet policore në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, si një proces mjaft i rëndësishëm për vendin, transmeton Telegrafi.

Drejtori Qalaj gjatë këtij takimi potencoi se krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, është primare për Policinë e Kosovës.

Njëkohësisht nga të gjithë eprorët e lartë policorë u kërkua që të gjitha detyrat dhe angazhimet e parapara me planin policor për zgjedhjet, të realizohen me profesionalizëm dhe me përkushtim të lartë.

Planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e operacionit policor në katër faza, duke filluar nga periudha parazgjedhore, angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës parazgjedhore, angazhimi dhe garantimi i sigurisë në ditën e zgjedhjeve dhe periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.

Të pranishmit diskutuan edhe rreth inicimit dhe procedimit të çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjes së të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas marrëveshjeve të bazuara në ligj./Telegrafi/