Site icon Telegrafi

Policia e Kosovës përkrah zjarrfikësit dhe shërbimet emergjente për shuarjen e zjarrit në Prevallë  

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë vënë në ndihmë të zjarrfikësve dhe shërbimeve emergjente për shuarjen e lokalizimin e zjarreve në rajonin e Prevallës ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë rajonale të Prizrenit, Vesel Gashi.

Sipas tij, lidhur me situatën e krijuar në këtë zonë ka pasur koordinim ndërinstitucional, raporton Telegrafi.

“Lidhur me zjarrin në bjeshkët  e Prevallës që në orët e mëngjesit, sot me datë 11.08.2024,  komandanti i Stacionit Policor të Prizrenit ka zhvilluar takim me Drejtoreshën e Emergjencave të Komunës së Prizrenit dhe zyrtarë të tjerë dhe së bashku janë koordinuar për veprimet për shuarjen e zjarrit. Policia është vënë në ndihmë të zjarrfikësve dhe shërbimeve emergjente”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, bashkë me zjarrfikësit në ndihmë për shuarjen e zjarrit në Prevallë kanë shkuar edhe disa vullnetarë.

Drejtoria për Emergjencë dhe Siguri në Komunën e Prizrenit ka njoftuar se të dielën është krijuar Shtabi Emergjent për menaxhimin e shuarjen e zjarreve në rajonin e Prevallës, dhe se synohet lokalizimi i tyre deri në orët e mbrëmjes.

Sipas njoftimit në këtë aksion janë angazhuar zjarrfikësit, Policia e Kosovës, Zyrtarë të Parkut Nacional, motoristë vullnetarë dhe qytetarë vendas. /Telegrafi/

Exit mobile version