Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka përforcuar kapacitetet e saj me automjete, duke pranuar një numër të automjeteve të tipit kombi-bus, të cilat do të shërbejnë për mbështetje të njësive speciale-policore gjatë operacioneve dhe aksioneve të veçanta.
Në njoftim thuhet se ky furnizim ka si qëllim përmirësimin e kapaciteteve të transportit, duke siguruar transport efikas dhe të sigurt për efektivat policore në terren.
“Automjetet do të lehtësojnë lëvizjen e njësive speciale, duke mundësuar një përgjigje më të shpejtë dhe më të organizuar në situata të ndryshme operative.
Projekti i furnizimit me automjete të reja është një hap i rëndësishëm në forcimin e infrastrukturës dhe aftësive operacionale të Policisë së Kosovës, duke kontribuar drejtpërdrejt në realizimin e misioneve të saj për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e Kosovës.
Policia e Kosovës mbetet e angazhuar në forcimin e sigurisë dhe rendit publik, me qëllim ofrimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/