Policia e Kosovës sot është duke zhvilluar një operacion kundër trafikimit dhe shpërndarjes së substancave narkotike.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili nuk ka dhënë detaje lidhur me operacionin që është duke u zhvilluar.
“Policia e Kosovës, në vazhdën e parandalimit dhe luftimit të veprave penale në përgjithësi e në veçanti ndaj narkotikëve, është duke zhvilluar një operacion policor. Për detaje dhe informacione shtesë lidhur me këtë operacion policor i cili është duke u zhvilluar në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë kompetente, do të njoftoheni pas përfundimit të operacionit policor”, tha Kelani.
Ndryshe, të martën, policia ka njoftuar se ka shkatërruar një laborator droge në Zveçan, ku është gjetur sasi droge që kapë vlerën mbi 1 milionë euro.
Policia bëri të ditur se në këtë aksion janë arrestuar katër persona, të cilët janë dërguar në mbajtje për 48 orë./Telegrafi/