Telegrafi

Policia e Kosovës në tri raste të ndara arrestoi 14 persona të dyshuar

Policia e Kosovës ka realizuar disa operacione të suksesshme policore në rajonin e Mitrovicës Veriore dhe Prishtinës, ku në tri raste të ndara ka arrestuar 14 persona të dyshuar për përfshirje në vepra të ndryshme penale.

Në rastin e parë Policia e Kosovës ka arrestuar personin me inicialet M.M., për kryerje të veprës penale pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar. Me vendim të prokurorit kompetent i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në rastin e dytë, për veprën penale kontrabandim me migrantë, Policia e Kosovës, sot ka realizuar operacionin e radhës në pesë lokacione me ç’rast ka arrestuar 12 persona, gjashtë shtetas kosovarë dhe gjashtë shtetas të huaj, si dhe janë identifikuar 29 viktima të kontrabandimit me migrantë.

Gjatë këtij operacioni në cilësi të provave materiale janë sekuestruar, një veturë, tri armë të gjata dhe tri armë të shkurta.

Në konsultim me prokurorin e çështjes i njëjti ka lëshuar vendim për ndalim për shtetasit kosovarë, ndërsa për shtetasit e huaj pritet vendimi pas intervistimit të tyre.

Në rastin e tretë, policia ka arrestuar një të dyshuar për veprën penale prodhim dhe përpunim i paautorizuar i narkotikëve.

Më datë 19.10.2022, Policia e Kosovës gjatë mbajtjes së një pike kontrolli ka ndaluar veturën me targa të huaja, ku gjatë kontrollit të realizuar janë gjetur katër qese me marihuanë me peshë 35gramë.

Në konsultim me gjykatën, është marrë urdhër verbal për bastisje në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit mashkull kosovar, me ç’rast gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me karikator, gjashtë fishekë, sasi e dyshuar e marihuanës me peshë 708 gramë, sasi e dyshuar e marihuanës me peshe 902 gramë, sasi e dyshuar e marihuanë me peshë rreth 163 gramë, vetura e përfshirë në rast, një telefon mobil si dhe 6 bimë të mbjella të dyshuara të llojit kanabis.

Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i kompetent, i cili ndaj të dyshuarit ka lëshuar vendimin për ndalim policor prej 48 orësh.