Kryerja e një mori vjedhjes të rënda, kanë bërë që Policia e Kosovës për rajonin e Deçanit ta shpallë një person në kërkim, duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve për ta gjetur atë, madje edhe duke publikuar foton e tij.
Kështu thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës në profilin e tyre në Facebook.
Ata kanë njoftuar se Policia e Kosovës ka siguruar autorizimin e Prokurorisë Themelore në Pejë për publikimin e fotove të personit të dyshuar, me qëllim identifikimin dhe rrjedhimisht arrestimin e tij.
“Kërkojmë nga të gjitha mediat e shkruara dhe elektronike që të bëhet publikimi i këtyre fotove dhe të kërkohet nga qytetarët e Republikës së Kosovës bashkëpunim me Policinë e Kosovës, sidomos ata të cilët e njohin dhe e identifikojnë personin e dyshuar. Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për identitetin e personit të dyshuar në fotografitë e mëposhtme të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor”, thuhet në këtë njoftim. /Telegrafi/