Në përpjekje për të mbrojtur mjedisin dhe sigurinë publike, Policia e Kosovës ka nisur një fushatë vetëdijesuese për të parandaluar rastet e zjarreve fushore në Rajonin e Gjilanit.
Kjo iniciativë vjen pas një rritjeje të numrit të rasteve të zjarreve, ku vetëm gjatë dy muajve të fundit janë regjistruar mbi njëzet incidente të tilla, të cilat kanë shkaktuar dëme të mëdha mjedisore dhe kanë rrezikuar jetën e qytetarëve.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përmes kësaj fushate, kërkon nga qytetarët të kenë kujdes dhe të shmangin ndezjen e zjarreve në pyje, hapësira të hapura dhe zona të tjera të ndjeshme, si dhe të respektojnë rregullat për ruajtjen e sigurisë dhe mjedisit
Në njoftimin për media, Policia thekson se ata që shkelin ligjet për ndezjen e zjarrit do të përballen me masa ligjore sipas dispozitave të legjislacionit të Kosovës.
Policia apelon për ndërgjegjësim të qytetarëve dhe ofron këshilla të rëndësishme për të parandaluar shpërthimin e zjarreve:
-Mos ndizni zjarr në pyje dhe zona të hapura.
-Shmangni ndezjen e zjarrit pranë ndërtesave, automjeteve dhe materialeve të ndezshme.
-Sigurohuni që të gjitha zjarret e ndezura për qëllime të kontrolluara të jenë të shuar plotësisht para se të largoheni.
Po ashtu, Policia i bën thirrje qytetarëve që të raportojnë menjëherë çdo shkelje të rregullave për ndezjen e zjarrit në numrat pa pagesë 192 ose 112. /Telegrafi/