(E plotësuar) Policia e Kosovës mbrëmjen e së enjtes ka kryer bastisje në fshatrat Banjskë dhe në Lozhishtë.
Aksionin e bastisjes, e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Bastisjet janë zhvilluat në fshatin Banjskë dhe në fshatin Lozhistë, ku në dy shtëpi janë gjetur dhe sekuestruar së paku dy armë, telefona, dokumente e pajisje të armëve”, ka thënë Elshani.
Tutje ai ka shtuar se zyrtarët policorë të këtij rajoni kanë asistuar Departamentin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në bastisjet që kanë ndodhur gjatë paradites.
Bastisjet kanë të bëjnë me barrikadat që janë vendosur në dhjetor të vitit 2022.
Për tri javë me radhë disa nga rrugët e veriut ishin bllokuar nga automjete të rënda.
Barrikadat ishin vendosur pas arrestimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq, i cili dyshohet se ka kryer vepra penale terroriste.
Që nga aksioni i 24 shtatorit të vitit ta kaluar ku në Banjskë të Zveçanit, u vra polici Afrimi Bunjaku, policia ka kryer disa aksione në këtë fshat.
Gjatë bastisjeve në veri, policia kishte gjetur armë, mjete eksploduese dhe pajisje të tjera luftarake në sasi të mëdha që kapnin vlera milionëshe.
Autoritet e Kosovës po ashtu siguruan dëshmi se organizator i sulmit terroristë ka qenë nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.
Radoiçiq edhe publikisht ka pranuar se ka organizuar sulmin në veri. Institucionet në Kosovë kanë kërkuar nga Serbia që ta bëjnë ekstradimin e tij, ndërsa Prokuroria ka bastisur pronat e tij në Kosovë, ku edhe ka konfiskuar vetura e pasuri tjera materiale.
Lidhur me rastin, Policia ka arrestuar edhe tre sulmues të cilët gjenden në masën e paraburgimit prej 30 ditësh./Telegrafi/