Site icon Telegrafi

Policia me aksion në veri, konfiskohen armë dhe pajisje ushtarake që lidhen me rastin e Banjskës

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion gjatë ditës së sotme në veri të vendit, ku janë konfiskuar armë dhe pajisje ushtarake.

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, njoftoi për detajet e këtij operacioni.

“Sot gjatë ditës kemi zhvilluar një kontroll shtesë në Hotelin Rajska Banja dhe kemi gjetur dy jelekë antiplumb, një armë AK-47, tetë karikatorë me fishekë dhe disa pajisje të tjera ushtarake”, tha Elshani në një deklaratë për Telegrafin.

Sipas tij, këto prova materiale dyshohet se janë të lidhura me incidentin e mëparshëm në Banjskë.

Policia beson se armët dhe pajisjet e konfiskuara sot kanë qenë të fshehura në hotel që nga ai incident.

Operacioni i sotëm është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të autoriteteve për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në rajonin verior të vendit, i cili vazhdimisht ka qenë burim i tensioneve dhe konflikteve.

Ky aksion vjen në vazhdën e një sërë masash të ndërmarra nga Policia e Kosovës për të adresuar situatën e sigurisë në këtë pjesë të vendit.

Zëvendëskomandanti Elshani theksoi se Policia e Kosovës do të vazhdojë operacionet e saj për të ndaluar veprimtaritë e paligjshme dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve./Telegrafi/

Exit mobile version