Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Prishtinë, pikërisht njësiti i trafikut rrugor gjatë së enjtes ka realizuar disa aktivitete në rrugët regjionale Prishtinë- Ferizaj dhe Prishtinë-Lipjan –Shtime. Komunikacioni është kontrolluar nëpërmjet dronit dhe janë ndëshkuar disa vozitës të cilët kanë tejkaluar në vijë të plotë.
Kapiteni Sylë Halili, njëherësh shef i operativës për rajonin e Prishtinës, ka thënë për Telegrafin se vozitësit duhet të kenë kujdes se ndryshe do t’iu konfiskohen patentë-shoferi për kohë të caktuar sipas ligjeve në fuqi.
“Siç e patë në incizimet e më hershme ky kontroll bëhet nëpër rrugët nacionale dhe në magjistral ku ka vijë të plotë, andaj ku është e mundur të bëhet incizimi i kundërvajtjeve të tilla. Qëllimi i këtij plani operativ është parandalimi i aksidenteve në trafik sepse është konstatuar se një numër i madh i aksidenteve të trafikut ndodhin shkaku i tejkalimeve në vijë të plotë”, ka thënë Halili.
Sipas tij, vozitësit që tejkalojnë në vijë të plotë u merret patentë shoferi për tre muaj dhe ndëshkohen me 200 euro dhe po ashtu ndëshkohen me 2 pikë negative në patentë.
“Sot jemi në rrugën nacionale Shtime-Lipjan-Prishtinë dhe e patë në incizim për një kundërvajtje të tillë të tejkalimit në vijë të plotë. Ligji ka paraparë se për këto kundërvajtje duhet të shqiptohet dënimi prej 200 eurove dhe 3 muaj i konfiskohet patentë shoferi e, po ashtu edhe dy pikë negative nga patentë shoferi”, ka bërë me dije ai.
Halili ka sqaruar se në regjionin e Prishtinës janë duke qarkulluar 160 mijë vetura , kurse në gjithë territorin e Kosovës janë të regjistruara mbi 400 mijë vetura.
“Me ardhjen e bashkatdhetarëve ky numë dyfishohet dhe komunikacioni do të jetë më i ngarkuar, andaj i lutem secilit shofer t’i respektojnë rregullat e trafikut”, ka shtuar ai./Telegrafi/